Ikën ikona e Violinës shqiptare
Ikën ikona e Violinës shqiptare
Ibrahim Madhi, një ndër ikonat kryesore të instrumentit të vilonës u nda nga jeta të marten, më 4 shkurt 2014, në moshën 68-vjeçare. Ai iu dedikua violinës për më shumë se 50 vjet, si interpretues dhe mësimdhënës në Akademinë e Arteve.
“Largohet prej nesh një burrë i urtë, nje artist origjinal, një njeri i përpiktë dhe i palodhur”, është shprehur Petrit Malaj, Rektori i Universitetit të Arteve, i cili i dorëzoi rreth tre vite më parë cmimin e mirënjohjes Ibrahim Madhit, me rastin e 50-vjetorit të karrierës së tij.
Profesor Ibrahim Madhi lindi në Tiranë më 25 nëntor të 1945-ës. Ai kreu studimet me rezultate të shkëlqyera në ish-Akademinë e Arteve dhe në Konservatorin e Napolit.
Është ngjitur në skenë si solist për herë të parë në moshën 17-vjeçare. Më pas punoi si violinë e parë dhe solist në Orkestrat e RTSH-së, Ansamblit shtetëror dhe TKOB.
Ka qenë për vite pedagog, drejtor i Akademisë së Arteve dhe dekan i Fakultetit të Muzikës pranë Akademisë. Në repertorin e tij përfshihen vepra kompozitorësh shqiptarë e të huaj, vepra të luajtura nga Profesor Madhi në Shqipëri e Kosovë, por edhe në shtete të tjera si Itali, Francë, Zvicër, Austri, Gjermani e Kinë.