De Biazi- trajner i Italisë
De Biazi- trajner i Italisë
Tundim i natyrshëm.
Është e mundshme?
Po dhe jo. Dhe pse?
De Biazi s’ka për ta gjetur kurrë nderimin që I ka rezervuar atij Shqipëria dhe shqiptarët, në asnjë vend, as në Italinë e tij, ndërsa djemtë e futbollit shqiptar mund të arrijnë rezultate edhe më tej, qoftë edhe pa De Biazin…
Natyrisht për drejtuesin e ekipit kombëtar të Shqipërisë do të ishte një arritje e dëshirueshme që pas suksesit me futbollistët shqiptarë t’i hapej rruga për të qenë në krye të futbollit Italian. Kjo është e kuptueshme, por një dëshirë të tillë e ka shprehur edhe vetë De Biazi. I grishur nga kjo, De Biazi nuk e fsheh entuziazmin e tij dhe pavarësisht se nuk ka ende asgjë mbi tavolinë, të paktën shpreson që kjo ëndërr të bëhet realitet. Të drejtosh kombëtaren e Italisë do të ishte synim dhe ëndërr për çdo trajner dhe aq më tepër për De Biazin, që veç aftësive poseduese është Italian dhe vjen prej shkollës së futbollit azuro.
Po thuhet se italianët po e kërkojnë de Biazin si një ndër kandidaturat e mundshme për të drejtuar futbollistët italian. Natyrisht ka edhe kandidatura të tjera, jo pa merita, që mund të kryesojë bankinën italiane, por emri De Biazi merr një rëndësi të madhe për ne shqiptarët sepse ai aktualisht është drejtues i ekipit Kuq e Zi. Jo vetëm kaq. Me De Biazin, Shqipëria, për herë të parë në historinë e vet futbollistike ka kapur majën më të lartë, atë të kualifikimit për Europianin 2016 në Francë. Ishte kjo pasojë vetëm e De Biazit? Kjo nuk ka shumë rëndësi të diskutohet në këtë moment, por në këtë fitore nuk janë pa gjë edhe djemtë futbollistë. Në euforinë legjitime në të cilën jemi përfshirë le të mos harrojmë se u kualifikuam vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Armenisë kur më parë një tre-piksh e kishim marrë në tavolinë dhe kur mundësitë qenë të ishim fitues të paktën në ndeshjen e parafundit, por luajtëm keq, për të mos thënë shumë keq. Pavarësisht kësaj ashtu sikurse çdo fitore të bën të harrosh disfatat edhe kurorëzimi I dëshirës aq të pritur nga shqiptarët, në ndeshjen e fundit, ndoshta ishte edhe më I bukur dhe më emocionues nga ç pritej, sepse aty në ato 90 minuta , ashtu siç ishin shanset për të shkuar në France, ishte edhe mundësia të riktheheshe në bazë për të bërë më mirë “detyrat e shtëpisë”. Djemtë ja dolën. Ja dolën së bashku me De Biazin dhe në këtë këndvështrim, roli I trajnerit mbetet I padiskutueshëm në këtë triumf, po aq sa ai do të ishte shkaktari I vetëm në se nuk do të fitonim ndaj Armenisë dhe pa diskutim do të merrte “kryqëzimin” e “merituar”.
Nga ana tjetër, De Biazin italianët e kishin atje në vendin e tyre për bukuri dhe po tu duhej nuk kishin pse ua linin shqiptarëve, por me sa duket nuk ia paskan ditur vlerat..(Siç shihet, nuk qenkemi vetëm ne shqiptarët që disa personalitete i vlerësojmë vetëm atëherë kur kanë sukses jashtë vendit…)! U desh një triumf në Shqipëri që kokat e futbollit Italian të “kujtohen” për të. Kjo nuk është shumë serioze. Po të ecim me logjikën e kërkesës italiane, federata italiane e futbollit duket sikur bën një autokritikë që nuk i paska njohur veçoritë dhe talentin e De Biazit në atë kohë dhe se i “paska shpëtuar asi nga duart”. Rezultati i kombëtares shqiptare u ka hapur sytë krerëve të futbollit italian dhe e shohin tashmë De Biazin si një “shpëtim” dhe “dorë të sigurt” për të ardhmen e kombëtares italiane. Sipas kësaj logjike rezultatet e kombëtares shqiptare të futbollit janë fryt vetëm i rolit të de Biazit, gjë kjo me të cilën as vetë De Biazi nuk mund të jetë I një mendje. Përkundër ai ka edhe të drejtën të ndihet jo dhe aq mirë për këtë vonesë vlerësimi. Mund të ndikojë kjo në vendimin e tij të ardhshëm? Aspak. Para asaj që ai do të ndihet duke qenë kreu I futbollit Italian, pakënaqësia e mëparshme humbet si kripa në ujë.
Federate shqiptare e futbollit në marrëveshjen që ka nënshkruar me trajnerin De Biazi e lejon këtë të fundit, që në se do të ketë një ofertë më të leverdishme, do të jetë i lirë të vetëveproje në interes të tij. Në se është me të vërtetë kështu, në vështrim të parë kjo zemërgjerësi duket shumë njerëzore dhe bujare dhe i ka lënë dorë të lirë De Biazit, por lë në mes të rrugës një punë të nisur dhe kjo nuk është mirë për kombëtaren shqiptare të futbollit. Zakonisht marrëveshjet bëhen në interes të atij që paguan ndërsa në rastin në fjalë kontrata është më e favorshme për atë që paguhet. Pak e çuditshme, por jo shumë shqetësuese.
Transfertat e llojit të tillë duan kohë dhe shumë punë për tu realizuar dhe në këtë këndvështrim, në se bëhet ajo mund të ndodh pas europianit 2016, duke e lënë futbollin shqiptar në kërkim të një “De Biazi” të ri për përgatitjet e botërorit të ri. Po qe se italianët janë me ngut, nisur nga niveli aktual i kombëtares së tyre, kjo mund të ndodh edhe para këtij europiani dhe sipas kontratës që paska De Biazi, ai është i lirë të “na lërë pushin” dhe djemtë e kombëtares, atëherë, “do t’ia marrin shqiptarçe” atje në zemër të Europës, në fushat franceze deri sa të lënë “me gojë hapur” jo vetëm Europën…por gjithë botën.
Suksesi I futbollit shqiptar dhe i trajnerit De Biazi ka qenë ngjarja më spektakolare për Shqiptarët dhe sportin shqiptar. Nderimet me këtë rast ishin nga më të jashtëzakonshmet dhe kapën përmasat e magjikes dhe ireales. Qershia mbi tortë në këto nderime , padyshim ishte trajneri De Biazi, i cili u vlerësua si “çelësi i artë” që hapi për herë të parë dyert e një europiani për futbollin shqiptar. Ai e meritonte këtë dhe Shqipëria dhe shqiptarët ja dhanë pa hezitim dhe me tepri si rralle vend tjetër mund ta bënte këtë në këtë rruzull. De Biazi e di shumë mire këtë dhe ka ngelur I befasuar si asnjëherë në jetën e tij për këtë respekt me përmasa deri në kufijtë e legjendës. De Biazi është i lire të shkojë ku t’i bëhet atij më mire dhe aty ku janë aspiratat e tij të ëndërruara, aq më tepër në atdheun e tij, Italinë, pavarësisht se zyrtarisht, edhe Shqipëria është atdheu i tij I dytë.
De Biazi s’ka për ta gjetur kurrë nderimin dhe respektin kulmor që i ka rezervuar atij Shqipëria dhe shqiptarët, në asnjë vend, as në Italinë e tij, ndërsa djemtë e futbollit shqiptar mund të arrijnë rezultate edhe më tej, qoftë edhe pa De Biazin…
Dhori Thanasi