Pse u trëmb ish Guvernatori nga seinjorazhet

Pse u trëmb ish Guvernatori nga seinjorazhet

Alqi NAQELLARI & Vladimir MICI
Pedagogë ne UMSH

Qeveria e re që erdhi në pushtet për të përballuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej ekonomia shqiptare ndërmori në mënyrë urgjente, një sërë masash ekonomike e financiare. Një prej masave që e quajti si zgjidhje për kthimin e detyrimeve që i kishte biznesit, në konsultë edhe me FMN ishte marrja borxh e mbi 200 milionë eurove nga institucionet financiare ndërkombëtare. Në pamje të parë, në kushtet që ndodheshin financat publike, ky veprim nga kushdo do të quhej normal, pavarësisht sesa do të rritej borxhi i jashtëm. Kjo do të thotë se për të shlyer borxhet duhet marrë borxh. Një veprim i tillë kur borxhet shlyhen me borxhe, kërkon që borxhet e reja duhet të kenë norma interesi më të ulta nga ekzistuesit dhe afate më të gjata kthimi, ndryshe do të ishte plotësisht i gabuar sepse do ta thellonte edhe më tej borxhin dhe do ta drejtonte ekonominë drejt recesionit të sigurtë. Borxhet në euro do të kthehen në euro dhe borxhet në lekë do të kthehen në lekë. Për borxhet në euro ky veprim është plotësisht i justifikueshëm kur nuk ka aftësi mbuluese ekonomia, siç është rasti i ekonomisë shqiptare, por problemin unë e shtroj për borxhet e brendëshme, detyrimet që qeveria i ka biznesit vendas në lekë. Për këto detyrime shtrojmë dy pyetje që japin edhe rrugët e zgjidhjes; qeveria duhet të marri kredi në euro dhe t’ja shlyejë biznesit në lekë dhe e dyta, duhet të gjejë një zgjidhje tjetër duke u shmangur nga borxhi i jashtëm në euro dhe duke u kthyer te leku?
Qeveria shqiptare zgjodhi rrugën e parë, do ti kthejë detyrimet biznesit duke marrë kredi në euro. Për gjykimin tim, të pasqyruar në disa artikuj, një veprim i tillë është i nxituar dhe jo efektiv. Kjo sepse ne kemi monedhë zyrtare lekun dhe kemi një aset që quhet “seignorage” ose kompensues që mund të shfrytëzohet prej qeverisë në momente të vështira ekonomike, siç është rasti i tanishëm ku borxhi publik ka kaluar 65% dhe qeveria nuk ka aftësi mbuluese të detyrimeve të saj ndaj biznesit vendas në monedhën vendase. Këtë asset nuk e ka asnjë nga vendet europiane që kanë monedhën e tyre euron, përndryshe secila prej tyre mund ta kishte shfrytëzuar. Nëse Greqia do të kishte monedhë të saj dhrahminë do ta kishte përdorur me sukses dhe nuk do ishte në këtë situatë ekonomike që është. Shqipëria e ka shansin dhe nuk duhet ta lëshojë nga dora.
Nuk është e thëne që duhet të jesh dakort dhe ti marrësh dorën FMN-së për daljen nga situata, dhe aq më keq që ajo të na kreditojë pavarësisht nga normat e interest dhe afati i shlyerjes së kredisë. Koha është që ne të përdorim asetet tona, të përdorim seignoraget. Seignorage do të thotë në shqip kompensues,ose para që printon Banka Qëndrore për llogari të Qeverisë në situata të veçanta kur nuk ka mundësi tjetër shlyerje të detyrimeve të saj.
Detyrimin që qeveria ka ndaj biznesit fare mirë mund ta shlyej pikërisht me këtë asset. Këtë teknikë shlyerje më shumë e kushdo e njeh ish Guvernatori zoti Shkëlqim Cani që ka qënë edhe Guvernator i Bankës Qëndrore. Propozimi jonë nuk është një rast i veçantë por është një gjë e zakonshme për vende të tjera, ndërsa në Shqipëri kompensuesit identifikohen me rritjen e inflacionit. Pra të shtosh paratë në qarkullim do të thotë të rrisësh në mënyrë artificiale normën e inflacionit. Teorikisht një përcaktim i tillë është i drejtë por praktikisht nuk qëndron një vlerësim i tillë. Kjo sepse inflacioni në Shqipëri nuk është inflacion monetar por është inflacion i importuar. Ky është argument i parë por ka edhe një sërë argumentesh të tjerë. Mbi 60% e kredisë është dhënë prej Bankave jo në lekë, gati 50% e depozitave janë në valutë, atëherë për çfarë inflacioni mund të flitet kur në treg mund të blihet shumë më lehtë me euro sesa me lekë?
Nëse do të gjykonim se shtimi i parave në qarkullim do të rriste normën e inflacionit, dhe ta merrnim këtë për të vërtetë atëherë ne shtrojmë pyetjen: sa do shkonte norma e inflacionit në Shqipëri? Përgjigja do jetë fare e thjeshtë, në muajt e fundit të 2013 norma e inflacionit ka qënë jo më e lartë se 1%, ndërsa sot që ne flasim nuk është më e lartë se 1.7%. Atëherë sa do të rritej kjo normë nëse do të kishim në shesh kompensuesit? Do të shkonte maksimalisht 4%. Kjo normë është brenda kufijve të përcaktuar nga Banka Qëndrore +-1% ndaj 3%. Kështu që veprimi do qe fare normal. Ne theksojmë se edhe në këto shifra nuk do shkonte sepse paraja që do ti kthehej biznesit nuk do shkonte e gjitha te kërkesa agregate në formën e konsumit, por do të transfromohej në element të tjerë, një pjesë do shkonte si detyrim në Bankat ku biznesi ka marrë kredi, një pjesë do shkonte te shlyerja e “kleringut” dhe një pjesë do shkonte te borxhet informale, pa përmendur çlirimin e detyrimeve ndaj tyre. Pra do kishim një rishpërndarje të saj, pa kurfarë ndikimi në normën e inflacionit.
Gjithsesi edhe nëse do shkonte 100% te biznesi dhe do të dilte jashtë bankave përsëri nuk do të kishim probleme sepse: Puna e bizneseve është pjesë e ofertës agregate në formën e kaptialeve të ngurtësuara pa kurfarë kompensimi në kërkesën agregate. Pra kemi një diferencë midis kërkesës dhe ofertës agregate pavarësisht se në ofertë nuk kemi mallra përfundimtarë por kemi asete. Kështuqë ky veprim do barazonte kërkesën me ofertën. Barazimi i tyre bëhet premisë për një inflacion të mundshëm por në kushtet e rritjes së kërkesës agregate. Kjo e fundit nga ana e saj do stimulonte ofertën si dhe do rriste të ardhurat nga tatimet. Të ardhurat nga tatimet, si detyrime të trashëguara, do të rriteshin prej parave që fimat do mernin nga qeveria. Kështuqë nëse do dilnin për llogari të tyre 20 miliardë lekë, 5 miliardë do ti ktheheshin qeverisë pa diskutuar kthimet në banka dhe rritjen e C-së. Teorikisht këtë problem e sqarojmë si më poshtë:
Deficiti dhe inflacioni. Duke analizuar deficitin lind pyetja a shkakton deficiti inflacion? Më poshtë do të shikojmë se lidhja kryesore midis deficitit dhe inflacionit është se në disa rrethana deficiti bën që të rritet norma e ofertës së parasë. Le të analizojmë lidhjen midis deficitit dhe ofertës monetare.
Dimë që inflacioni shkaktohet nga rritja më e shpejtë e kërkesës agregate (AD) se sa oferta aggregate(AS). Në kornizën e kurbëve AD-AS do të supozojmë se kurba e ofertës agregate është e fiksuar. Atëherë për nivele çmimesh të rritura kurba e kërkesës agregate do të zhvendoset. Në të dy modelet, atë klasik dhe në atë Kejnsian deficiti nënkupton faktin se mund të sjellë rritje të kërkesës agregate më shpejtë se sa rritja e ofertës agregate, duke sjellë për pasojë një rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve.
Në të dy modelet rritja e blerjeve qeveritare do të sjellë rënie të kursimeve kombëtare të dëshiruara duke zhvendosur kurbën IS lartë dhe duke sjellë rritje të kërkesës agregate. Rritja e kërkesës agregate do të sjellë nga ana e saj rritje të nivelit të çmimeve. Nëse neve do të supozojmë duke marrë në konsideratë rastin Kejnsian që ekuivalenca Rikardiane nuk mund të qëndrojë, duke rezultuar deficit buxhetor prej shkurtimit të taksave ose prej rritjes së transfertave dhe reduktimit të kursimeve kombëtare të dëshiruara, rritja e kërkesës agregate do të sjellë rritje të nivelit të çmimit. Kështu deficiti duke rezultuar prej një politike ekspansioniste fiskale do të sjellë inflacion.
Megjithatë, një rritje në blerjet qeveritare ose një shkurtim në taksa do të shkaktojë vetëm përkohësisht një rritje të shpenzimeve agregate. Ne shpresojmë se politika ekspansioniste fiskale do të sjellë një rritje të nivelit të çmimeve ndërsa nuk do të shpresojmë që një rritje në blerjet qeveritare ose një shkurtim i taksave të shkaktoj një mbështetje të një inflacioni të rritur. Përgjithësisht, faktori i vetëm që mund të mbështesë një rritje në kërkesën agregate, duke bërë të vazhdueshëm inflacionin është mbajtja e lartë e ofertës monetare. Në të vërtetë, normat e larta të inflacionit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me normën e lartë të ofertës monetare.
Për rezultat problemi shtrohet: Mundet defiçiti buxhetor të sjellë rritje të ofertës monetare?
Përgjigja është PO. Lidhja është në printimin e parave për financimin e shpenzimeve buxhetore kur qeveria nuk mund të financojë të gjithë shpenzimet e saj prej taksave ose huamarrjes prej publikut. Në një rast ekstrem imagjinoni që qeveria kërkon të shpenzojë 10 miliardë lekë por nuk është e aftë ti mbulojë ato me taksa apo nga huamarrja publike. Një mundësi për ti plotësuar këto shpenzime është që të printojë para me një vlerë prej 10 miliardë lekë. Të ardhurat e qeverisë që rriten prej printimit të parasë quhen kompensuesa ”seignorage”. Çdo qeveri me autoritetin e saj mund të emetojë para me anën e kompensuesve. Qeveritë që nuk kanë autoritetin e emetimit të parave, të tilla si USA nuk mund të përdorin kompensuesit.
Aktualisht qeveritë që duan të financojnë deficitet e tyre nëpërmjet kompensuesve dhe nuk munden thjeshtë të printojnë para të re përdorin procedura indirekte. Së pari, Thesari autorizon Qeverinë të huajë një borxh sa deficiti buxhetor, në rastin tonë me 10 miliardë lekë duke koresponduar sasinë e detyrimeve të reja qeveritare me printimin e parave. Kështu deficiti është i barabartë me ndryshimin në borxhin e papaguar qeveritar. Megjithatë detyrimet e reja qeveritare nuk do të jenë para të publikut. Në të vërtetë, Thesari i kërkon bankës qëndrore të blejë 10 miliardë lekë letra me vlerë. Banka Qendrore paguan për blerjet e veta të letrave me vlerë duke printuar 10 miliardë lekë në kesh. Kjo i jepet Thesarit në këmbim të letrave me vlerë. Ky emetim i ri hyn në qarkullimin e përgjithshëm. Theksojmë se kur banka qëndrore blen letra me vlerë prej qeverisë në tregun e hapur e rrisin bazën monetare.
Pa u zgjatur më me komentin e taksës së inflacionit e vlen të theksojmë se nëse qeveria shqiptare do printojë lekë për të shlyer të gjitha detyrimet e saj ndaj biznesit në Shqipëri nuk do të ketë një rritje shqetësuese të normës së inflacionit. Çuditemi që Ministri Financave, ish Guvernator i Bankës Qëndrore që e njeh mirë teknikën e seinjorazheve nuk mori përsipër për të bërë këtë veprim, veprim të cilin do ta bënte dhe një ekonomist i nivelit mesatar.
Seinjorazhet janë alternativa më optimale për ti dhënë ajër ekonomisë pa shkaktuar asnjë lloj problemi. Nëse bëhet fjalë për një vendim Parlamenti ky nuk është problem sepse shumën e cilësuar pozita e ka.
Gjykojmë se duhet hequr dorë nga mbivlerësimi i euros dhe valutave të tjera në raport me lekun shqiptar. Lekun e kemi pasur, e kemi dhe do ta kemi edhe për dhjetra vjet përfaqësuesin dhe ndihmësin tonë për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Është një marrëzi të mbivlerësosh në kushtet e ekonomisë tonë euron dhe të injorosh lekun ashtu sikundër bëri paraardhësi i Ramës.

Leave a Reply