AktualitetOpinionPolitikeShqetesim

Një pyetje për Nexhmie Hoxhën

A të kujtohet?
Një pyetje për Nexhmie Hoxhën

Nga Përparim Hysi

As që dyshoj në përgjigjet tuaja aq të “sinqerta”, ku po veçoj njërën që gati më rrënqethi: “… paskeni qenë keq me buxhetin dhe mezi “blinit” ushqimet që ju vinin në bllok?!!! Bobo,- lëshova kujen,- sa paskemi qenë prapa botës dhe nuk e paskemi marr vesh këtë “rrezik” me pasoja për kombin!!!. Unë që po të shkruaj, me origjinë jam nga Skrapari dhe kam lindur dhe jam plakur në Myzeqe. Këtij “fukarallëkut” që paskeni hequr, në Skrapar i thonë: “Ato fela nuk m’i nxë jamakia”, kurse në Myzeqe thonë:” Anis të qajnë qetë, qan qerrja”. Sidoqoftë, as Rudina dhe as Bledi Fevziu nuk mund ta dinë se ku më pikon çatia ime. Unë kam një pyetje të drejtpërdrejtë me ju dhe, për t’jua bërë pak më të lehtë përgjigjen, po ju ofroj, duke marrë hua, një rubrikë që në “Zërin e popullit”, reklamohej kështu: ” Pohojnë me gojën e tyre!”.
* * *
Dhe mund të kisha heshtur, po, kur pashë, që për asgjë nuk ndjeje pikë pendese, atëherë dhe unë po e shtroj pyetjen time.
Por, për t’i qëndruar besnik ,ç’të premtova si ofertë, më ndiq.
Enver Hoxha ( sipas teje nuk ka vrarë askënd) po e ndjente që po i afrohej fundi dhe, aty- këtu, bënte ndonjë retushim,sado dy hunj e një purtekë, por po e bënte ama. Fantazma e Bankos po i shfaqej para sysh dhe shkroi e zezë mbi të bardhë: “… kur më kërkonin fashistët në periferi apo larg Tiranës, unë me Delikaten parakalonim mu tek hunda e tyre, pa na hyrë një gjemb në këmbë. Do të thoni ju:- Po si qe e mundur? Dhe po vet përgjigjet:- E kini parë një foto timen me syze e me mustaqe në Muzeun e Luftës? Atë foto ma ka bërë Qemal Stafa. Ajo ishte e një letërnjoftimi tim fallco që ma kish dhënë një shok imi. Ai më kish dhënë dhe të gruas së tij për Delikaten. E di që do pyesni,se si quhej ai shoku? Emri?… Emri nuk më kujtohet, por mbiemrin e kishte HYSI!!! Dhe të shoqen e tij e quanin Vera, ndaj Nexhmies në shtëpi ne i thërresim Vera. Kjo është dhe pyetja ime:- Vallë, të kujtohet kush ishte ai, HYSI (që nuk i “kujtohej) dhe, meqë më ishe mirë nga kujtesa, a e maban mend atë Hysin? Dhe, në nuk mban mend atë, patjetër atë, “Verën”, duhet ta mbash mend.
* * *
Unë kam qenë mësues dhe, siç ke mësuar dhe ti, dhe Enveri për mësuesi, për t’i bërë si më të zbërthyeshme pyetjet e vështira, fillohet nga më e lehta dhe, pastaj, çap pas çapi, pyetja zbërthehet. Ashtu si Enver Hoxha që e hapi vonë “kutinë e Pandorës” të atij “shokut që i kish harruar emrin”, unë po jua bëj pak më të lehtë përgjigjen. “Hysi” pa emër ka qenë vërtet shok me Enver Hoxhën, sa në Liceun e Korçës , aq dhe në Mon Pelje. Ai ka qenë xhaxhai im, jurist në atë kohë në Tiranë. Po. Qe me syze e me mustaqe dhe “shoku që tani nuk e “mbante mend”, jo vetëm syzet ia theu dhe mustaqet ia preu, por i preu dhe kokën me grupin e dytë të deputetëve me Riza Danin e Co… Xhaxhai im, Hilmi Hysi, qe martuar me Mynever Skraparin atë, Verën, Delikate që e kishe shoqe shkolle në Institutin “Nana Mbretneshë”. Përkim i çuditshëm! Sigurisht. Dy shokë që fare rastësisht u martuan me dy shoqe. Kur e pushkatuan timungj, ishte 35-vjeç dhe me shoqen tënde, “Verën” kishin dy çupa, njërën 5-6 vjeç e tjetrën 3-4 vjeçe. Epo edhe ca “pyetje ndihmëse”: xhaxhai tim edhe sot nuk ia dimë varrin dhe, siç besoj, as edhe ti nuk ke se si e di. Por pyetja ime shkon edhe më tej:- Xhaxhai dhe xhaxhesha ju shpëtuan kokën, kurse ju jo vetëm vratë xhaxhanë tim të pafajshëm, por shoqen tënde, me dy çupat e mitura, e hoqët nga Tirana dhe e çuat në një fshat të largët të Lushnjes. Mandej, meqë nuk e mbanit mend,e pushuat fare nga arsimi dhe, sado që njihte tri-katër gjuhë të huaja,e çuat punëtore në fabrikën e qumshtit. Dhe, pastaj, siç thuhej në gjuhën zyrtare të asaj kohe “dokumentet ndjekin postën”, kur çupa e asaj “Verës” në vitin 1959 mbaroi shkollën e mesme mjekësore me të tëra pesa jo vetëm nuk shkoi dot në Universitet, por u emërua në Librazhd. Më sakt: në fshatin Qukës të Librazhdit. Dhe e fundit,”pyetje ndidhmëse”. Partia hoqi “klonin” për biografi për fakultetin mathematikë- fizikë dhe në vitin 1962, u diplomua çupa tjetër e “Verës” asaj shoqes tënde, dhe çfarë çudi e “çuditshme?!”,edhe kjo u emërua në Librazhd. Në rrethin e Librazhdit: edhe kjo në Qukës!!! Siç duket, atje ishin sytë e veshët e mbretit. Atij “mbretit” që nuk mbante mend. Tani, unë t’i thashë të tëra dhe pres, ndoshta nuk i ke harruar. Xhaxhesha, për fat të keq, nuk rron më, por një përgjgigje sikur do t’ju “freskonte” ca ngjarje që nuk janë lehtë për t’u harruar. Pendimi për faj, sikur është ballsam. Apo jo?

* Juristi Hilmi Hysi është pushkatur në shkurt 1948. Sivjet është gjashtëdhjetë e tetë vjetori i vdekjes së tij. Ende nuk dimë varrin e tij.

Tiranë, 12 shkurt 2016

Leave a Reply