Nënat nuk mund të flenë kur fëmijët janë të uritur
Meri Lalaj
Nënat nuk mund të flenë kur fëmijët janë të uritur
Gjate nje emisioni ne “Fiks Fare” të Televizionit “Top Channel”, u trondita së
tepërmi dhe nuk më zinte gjumi, sepse në një fshat të Shqipërisë afër Mamurrasit dy
fëmijë, Evisa dhe Sokoli, bien për të fjetur me barkun bosh. Më sipër tek titulli shkrojta se nënat
nuk mund të flenë, kur fëmijët e tyre flenë të uritur, por nëna e këtyre dy vogëlushëve 6 dhe 9
vjeç nuk është më në jetë, ajo prej tre vitesh po bën gjumin e përjetshëm. Nuk mund t’i mbaja
lotët teksa ndiqja emisionin, tok me gazetaren qava edhe unë. Nuk mjafton fakti se këta fëmijë
po rriten jetimë, se goja e tyre kurrë më kësaj familjeje nuk do të shqiptojë fjalën “Nënë”, se
kurrë nuk do të dëgjojnë zërin e saj të ëmbël, përkëdheljet e ngrohta, përkujdesjen e saj, por
duhet të vuajnë edhe kulmin e mjerimit.
Shteti (pasi të plotësohet dokumentacioni i duhur!) do t’ju japë 2100 lekë për të jetuar tre
persona një muaj të tërë. Ti Evisa, je e vogël dhe nuk e di se kaq lekë djali i një ministri apo
deputeti i harxhon në pushimin e madh duke ngrënë sufllaqe ose hamburger tok me shoqen e tij
të klasës. Ti, Evisa nuk di që t’i llogaritësh këto para, por di edhe më shumë sepse di të gatuash
bukën me ato duart e tua të vogla dhe në këtë mënyrë ju të tre mund të shuani urinë. Ti nuk e di,
se tani që unë po shkruaj, ndonjë xhaxhi deputet apo ministër është duke hedhur një pako
milionshe me kartëmonedha eurosh në tryezën ku luhet kumar, por ti di edhe më shumë sepse me
ato duart e tua të vogla lan rrobat e babit dhe vëllait, gjë që nuk dinë ta bëjnë as vajzat 20
vjeçare. Ti nuk e di se ka plot vajza të përkëdhelura nga fati, që bëjnë “shopping” (se nuk mund
ta përdorin as fjalën shqipe) dhe shpenzojnë menjëherë 100. 000 lekë (të reja sigurisht), por ti,
amvisë e vogël e heshtur posi ndonjë Hirushe je e detyruar të rrish pranë vatrës me tym e zjarr
dhe të trazosh poçen me fasule që ju të tre të mos mbeteni të uritur.
Në emisionet e të gjitha kanaleve televizive ditë e përditë jepen këshilla pambarim si të
dobësohemi, po ashtu orë të tëra të emisioneve janë të mbushura plot e përplot me receta gatimi.
Gazetat ditë e përditë merren me jetën e personazheve (V.I.P.) çfarë hanë në cilët restorante
drekojnë, si vishen në cilat shitore i blejnë veshjet e plot budallallëqe të tjera, ndërsa ti, Evisa nuk
ke kohë as të luash përjashta me shoqet, sepse mbi supet e tua të vogla mban një shtëpi të tërë. Je
zonjë shtëpie. Ti nuk di se çfarë janë lodrat dhe si mund të festohet një ditëlindje. Dhe, papritmas
fati yt më kujtoi Kozetën e vogël të Hygoit, por ajo ka jetuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë,
ndërsa ti po jeton në shekullin e njëzetë e njëtë.
Unë e ndiej thellë atë që vuan shpirt yt i vogël, sepse dikur edhe unë kam vuajtur nga
uria, edhe unë kam larë rroba me duar, por isha grua e madhe e më duhej të rritja një vajzë të
vogël, ja kështu të bukur si ti. Mirëpo këto gjëra ndodhnin nën komunizëm, kur ti Evisa nuk
kishe lindur ende. Po tani? Kam luftuar sa kam mundur që të ndërrohej sistemi. Po si mund të
ketë fëmijë të uritur këtu në Shqipërinë time?
Më gëzohet zemra vetëm për diçka se ti, Evisa dhe vëllai yt Sokoli, shkoni ditë e përditë
në shkollë dhe jeni të parët e klasës. Unë shpresoj shumë se vuajtjet tuaja së shpejti do marrin
fund dhe do filloni të jetoni sikurse fëmijët e tjerë të vendit tonë.