Mos u bëfsh për skaner
Meri Lalaj
Mos u bëfsh për skaner!
Ka ndodhur jo shume kohe me pare, urojme mos ndodhte me…
Për shkak të disa shqetësimeve dhe me këshillën e mjekut vendosa që edhe
unë të bëj një skaner tek Qendra Spitalore “Nënë Tereza”. Nuk ishte punë e lehtë,
përkundrazi një mundim i pafund. Së pari, duhej bërë vizita. Kur paraqita librezën
tek infermierja, e cila qëndronte përballë një kompjuteri dhe nuk po më jepte
përgjigje (ishim vetëm ne të dyja) dhe kur i thashë: Të lutem, pak shpejt! Ajo m’u
përgjigj: Nuk mjafton që po e bën pa lekë, por e dashke edhe shpejt! (Sikur po
paguante nga xhepi i saj! Pastaj a nuk e di ajo se unë kam punuar, jam pensioniste
dhe i kam paguar të gjitha sigurimet!). Më tej duhej parashikuar data e bërjes së
skanerit. U shtyva midis një turme njerëzish, të cilët qenë grumbulluar para një
dere duke mbajtur fletë nëpër duar sikurse unë. Aty i pata zili ata, që kanë pare
sepse dring paret dhe mbetesh njeri e bën skanerin tek privati. Hyra brenda, aty
pashë disa mjekë të përkulur përmbi regjistra e fletë që shkruanin, shkruanin dhe
vetëm shkruanin, nuk kishin nge t’i hidhnin një sy të sëmurit që ndodhej përballë
tyre. Një skenë e mrekullueshme çehoviane.
Kur erdhi data për të bërë skanerin, me një tufë letrash, sërish u ndodha në
atë derë, por kisha harruar për të fotokopjuar librezën shëndetësore dhe fletën e
rekomandimit nga mjeku përkatës. Aty tek muri shkruhej “Fotokopja nuk punon”.
Dola nga spitali diku në rrugë për të gjetur një fotokopje që të punonte. E mbarova
dhe këtë punë. Më dërguan tek skaneri, për fat atje takova një mjek mikun tim dhe
një kirurg, djalin e shoqes sime. Mendova sa me fat jam që njoh mjekë dhe që di
shkrim e këndim, sepse si ia bëjnë ata të sëmurë të gjorë që vijnë nga rrethet nuk
kanë të njohur dhe u duhet të lexojnë gjithato shkresa! Nuk duhej të gëzohesha
sepse nga ajo dhomë mjekësh më dërguan sërish jashtë spitalit për të blerë një
shishe uji një litër e gjysmë, që duhej pirë kur të bashkohej me kontrastin. Spital sa
një qytet dhe nuk gjen shishe uji, shishet ndodhen jashtë spitalit nëpër shitoret.
Ndodhesha në katin nëntokë dhe një mjek m’u drejtua “Nane…” (Një fuqi e
mbinatyrshme më bëri që ta mbata veten e që të mos i ktheja përgjigjen: “Nënë e
satëme!” I thashë vetëm. “Mos më thuaj Nane…” (ai fliste me dialektin e veriut,
emrin nuk po ia përmend). Paskëtaj më dërguan sërish lart që të merrja një faturë
atje ku shkruhej RECEPSIONI, që nuk është fjalë shqipe. Prapë zbrita poshtë dhe kur
më thanë që të ngjitesha edhe njëherë lart që të vija vigonin (d.m.th gjilpërën në
venën e krahut për intravenozin nuk pranova. Boll u lodha.)
Skaneri zgjati vetëm dy minuta. Sa çudi! Gjithë ai mundim!
Unë i detyrohem shumë pikërisht këtij spitali sepse aty shumë vite më parë
një kirurg i mrekullueshëm, Profesor Petro Cani, dritë i pastë shpirti, më ka dhënë
jetë pa më marrë asnjë lek dhe duke më kënduar këngën: “O Lady Mary…”