Përse nuk duhet rritur çmimi i energjisë elektrike

Përse nuk duhet rritur çmimi i energjisë elektrike

Alqi NAQELLARI

Rritja e çmimit të energjisë elektrike sot është bërë një problem që diskutohet nga të gjithë, nga qytetarët dhe nga biznesi. Të gjithë shtrojnë pyetjet që kërkojnë përgjigje: pse ERE duhet të lejojë një veprim të tillë? Pse duhet ta lejojë qeveria, kur ajo ka për detyrë të mbrojë qytetarët e vet? Ku do ta mbrojë qeveria qytetarin shqiptar përveç mallrave dhe shërbimeve të domosdoshme për jetesë siç janë çmimi i energjisë elektrike, i ujit apo transporti urban? Përse më duhet mua qeveria dhe gjithë qytetarëve të thjeshtë kur nuk arrin të mbrojë jetesën time për mallrat e domosdoshëm të përditshëm të mbijetesës? Pse duhen rritur tarifat kur nuk kemi rritje të kostove të energjisë? Pse nuk ndërhyn shteti për të mbrojtur qytetarët e vet pavarësisht nga niveli i kostove të CEZ-it?
Thuhet se në muajin qershor ERE do të miratojë rritjen e tarifave të energjisë elektrike deri në 40%. Cilat janë disa nga arsyet që ERE do bëjë një veprim të tillë. Ne nuk do nisemi nga argumentet e tanishme por do ti referohemi logjikës së saj në ndryshimet e mëparëshme dhe do të bëjmë komentet tona, nën këndvështrimin e një konsumatori të thjeshtë. Kështu në vlerësimin e fundit të situatës së energjisë dhe përcaktimit të tarifave të saj ERE ka konstatuar se vendimi saj i shërbën:
1. Transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga mundësia e veprimit të efektit monopol- ERE ka trajtuar me kujdes të veçantë mbrojtjen e konsumatorit nga veprimi i dukurisë “monopol” në sistemin e furnizimit me energji elektrike dhe ka realizuar një proces tejet transparent në shqyrtimin e aplikimeve.
Koment. ERE është organizëm që lufton efektin monopol në drejtim të vendosjes së çmimeve për të mbrojtur konsumatorin? A nuk kemi një dublim të veprimtarisë së Autoritetit të Konkurencës në këtë rast me ERE?
2. Mbulimit të kostove dhe sigurimit të të ardhurave të nevojshme për shoqëritë–ERE vlerëson se çmimet dhe tarifat e miratuara të energjisë elektrike, sigurojnë të ardhurat e nevojshme për shoqëritë KESh sh.a, TEC Vlora sh.a, OST sh.a dhe OSSH sh.a. për të siguruar një furnizim të pandërprerë me energji elektrike të konsumatorëve tariforë për Periudhën e tretë Rregullatore 2012- 2014.
Koment. Çfarë kupton ky organizëm me të ardhura të nevojëshme? Çfarë analize ka bërë ky organizëm në raport me humbjet në rrjet? Humbjet në rrjet duhen kompensuar me rritjen e çmimeve dhe jo me luftën për të rritur numrin e energjipaguesve?
3. Rritja e eficiencës së përdorimit të energjisë elektrike–çka nënkupton përdorimin e saj kryesisht në ato drejtime ku ajo jep efektet më të mëdha në rritjen ekonomike të vendit dhe në sigurimin e një jetese normale për qytetarët. Në këtë kuadër ERE ka zbatuar nismën e dekurajimit të përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje banese nëpërmjet përdorimit të mekanizmit të çmimit si element rregullator.
Koment. Çfarë kupton teorikisht ky autoritet me eficencë të përdorimit të energjisë? Cili është studimi mbi eficiencën e përdorimit të energjisë elektrike? Kush tha se ajo nuk është më eficiente në përdorimin e qytetarëve sesa në përdorimin e furrave të bukës apo në industrinë minerare në përgjithësi?
4. Inkurajimi i investimeve–si një faktor me rëndësi që ndikojnë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, në përmirësimin e cilësisë së furnizimit, në rritjen e transparencës ndaj konsumatorit, në zvogëlimin e humbjeve teknike dhe jo-teknike, në përmirësimin e kushteve për mbrojtjen e jetës dhe të pasurisë së qytetarëve etj.
Koment. Inkurajimi i rritjes së investimeve nuk mund të bëhet në kurriz të qytetarëve për llogari të punës së dobët të këtij institucioni.
Pas përfundimit të këtij procesi, Bordi i Komisionerëve të ERE-s, “vendosi të miratojë të njëjtën strukturë tarifash për çdo grup të klientëve tariforë si ajo egzistuese. ERE edhe përgjatë periudhës së tretë Rregullatore 2012-2014, vendosi të ruajë të njëjtat çmime si dhe sistemin tarifor me dy blloqe duke lënë në fuqi një çmim prej 7.70 lekë/kŵh për konsumin deri 300 kŵh, dhe për konsumin mbi 300 kŵh një çmim prej 13.50 lekë për kŵh”.
Koment. Mbas gjithë atij gjykimi të mësipërm jo të saktë merret një vendim i gabuar. Abuzohet me konceptin “monopol” dhe “mbrojtje të qytetarëve dhe të bizneseve”. Sot diskutohet që të rriten më tej tarifat e energjisë për qytetarët dhe për bizneset, ndoshta duke aplikuar një tarifë të vetme. Ky do jetë një vendim edhe më i gabuar. Pse e themi dhe si e argumentojmë konkluzionin tonë.
Kjo sepse këtu kemi të bëjmë me një diskriminim çmimesh të shkallës së dytë.
Këtu kemi të bëjmë me monopole natyrore që kanë të ardhura të larta të shkallës. Në këto raste siç janë hidrocentralet, shpenzimet fikse janë të larta ndërsa shpenzimet variabile janë konstante. Me rritjen e prodhimit ulet edhe kostoja për njësi. Prodhimi në këtë rast nuk varet prej askujt por vetëm prej sasisë së rreshjeve. Rritja e tyre sjell për pasojë edhe rënje të kostove mesatare totale. Kështu në vend që të kishim ulje të çmimeve kemi rritje të tyre. Ky është një absurditet që ndodh në ekonomi si ekonomia shqiptare dhe në asnjë vend tjetër.
ERE gjykon se kjo strukturë dekurajon shfrytëzimin e energjisë elektrike për ngrohje dhe gatim dhe këto dy shërbime mund të garantohen nga burime alterantive me kosto konkurruese. Në këtë vendimarrje ERE ka synuar të vendosë ekulibrat ndërmjet interesave të investitorëve, konsumatorëve dhe shtetit, duke përcaktuar çmime të përballueshme nga konsumatorët e të gjitha kategorive, të lejojë kompanitë të kryejnë investimet dhe të marrin të ardhurat e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Koment. Paragrafi i fundit jep edhe argumentin përkatës sepse është marrë një vendim i tillë. Arsyeja është që energjia të mos përdoret për ngrohje dhe gatim por për këto përdorime të shfrytëzohen burimet alternative. Një logjikë e tillë është paradoksale sepse: rritja e çmimit në vend të uljes së tij do rrisi kërkesën për burime alternative. Në Shqipëri burimi kryesor alternativ është gazi i lëngët. Rritja e kërkesës për gaz të lëngët do sjellë për pasojë edhe rritjen e çmimit të tij. Kështu konsumatori do bjeri nga shiu në breshër. Rritja e çmimit të gazit ka qënë prezente në 2008 ku në Shqipëri kishte mungesa të theksuara të energjisë elektrike. Në atë periudhë kohe kur qeveria nuk kishte fonde për të blerë energji dhe kur basenet e hidrocentraleve ishin të boshatisura konsumatori ju drejtua gazit të lëngët duke rritur kërkesën për të. Çmimi u rrit me 30 lekë litri? Çfarë duhej të bënte qeveria në këtë rast? Të vendoste një çmim tavan sepse kjo do ishte gjëja më normale në kushtet kur nuk kishte asnjë arsye të brendëshme të lidhur me koston për rritjen e çmimit të gazit? Nëse do vendoste një çmim tavan nuk mund ta kontrollonte dot zbatimin e tij sepse në qindra dyqane shiteshin bombula gazi dhe do të duheshin me qindra punonjës të tatimeve për kontroll. Qeveria zgjodhi një rrugë më të thjeshtë, hoqi akcizën e gazit dhe çmimi nuk ndryshoi. Po sot farë duhet bërë? A ka autoriteti i Konkurencës të drejtën të ndërhyjë në këtë pozicion të çmimeve duke ju referuar llogjikës së ERE-së? Po vetë qeveria a mund të ndërhyjë?
Nuk po flasim këtu për nivelin e çmimit fillestar duke i bërë një analizë kostos së tij sepse nëse do të bënim këtë gjë, do konstatonim se në Shqipëri për energjinë elektrike kemi çmime 44% më të larta se në Kosovë. Kosova vetë ka çmime 10% më të ulta se në Bosnje, 30.3% më të ulta se në Bullgari, 49.7% më të ulta se në Kroaci, 28% më të ulta se në Maqedoni, 16.5% më të ulta se në Mal të Zi, etj.
Tarifa e energjisë së pikut do të jetë në masën 15% më e lartë se tarifa bazë e energjisë për çdo grup klientësh për periudhën 2012-2014. Kjo arsyetohet me faktin që në kushtet aktuale në të cilat ndodhet sistemi ynë elektroenergjitik, i cili mbështet në burimet vendase hidro, si referencë per llogaritjen e tarifës së pikut shërben çmimi i importit.
Edhe këtu mund të bëhet një koment se përse duhet të merret për bazë çmimi i importit dhe jo çmimi i vendit? Gjithsesi le të vazhdojmë me argumentin tonë, sepse edhe nëse do mirnim për bazë çmimet e importit përsëri çmimi mesatar do vinte në rënje dhe jo në rritje.
Diskriminimi i çmimeve të shkallës së dytë realizohet nëpërmjet ndarrjes në blloqe. Në Shqipëri për konsumatorin blloku i parë është 300 kŵ me çmimin 7.7 lekë kŵ dhe blloku i dytë çdo sasi e konsumaur mbi këtë shifër. Teorikisht sasia e konsumuar mbi 300 kŵ duhej të shitej me një çmim më të ulët sepse shoqërohet me rënje të kostos mesatare. Në Shqipëri jo që nuk shitet mme një çmim më të ulët por shitet me një çmim 13.5 lekë, gati dy herë më të lartë se çmimi i bllokut të parë. Arsyeja nuk është se u rrit kostoja, pra nuk ka arsye të brendëshme ekonomike. Arsyeja e vërtetë qëndron te humbjet në rrjet dhe te mospagesa e energjisë së konsumuar prej subjekteve ekonomike individual, biznese dhe vetë qeverisë. Pra këtë humbje kjo ndërmarrje do ta uli nëpërmjet rritjes së tarifave të pagesës prej qytetarëve të ndërgjegjshëm dhe korektë. Ky veprim është plotësisht i gabuar, por që për CEZ është veprimi më i lehtë për tu bërë. Një veprim i tillë miratohet në heshtje prej qeverisë, sepse qeveria kërkon të rrisë të ardhurat për të ulur humbjet e saj. Mendimi jonë për të dalë nga kjo situatë ështrë:
= Të mos rriten çmimet e energjisë elektrike as për biznesin dhe as për aytetarët, përkundrazi të shikohet mundësia e uljes së çmimeve për bllokun e dytë.
= Qeveria, vetë e para të shlyejë të gjitha detyrimet që ka ndaj kësaj kompanie duke dhënë shembullin e vet që duhet të ndiqet nga bizneset private dhe nga familjarët.
= Bizneset private të shlyejnë të gjithë detyrimet e prapambetura dhe aktuale që i kanë CEZ-it. Të kontrollohen të gjitha lidhjet e tyre me burimin e energjisë dhe të paisen me aparate me kartë.
= Familjarët të detyrohen konform sekuestrimeve të objektve shtëpiake për të paguar detyrimet e mbartura. Për periudhën e ardhëshme të gjithë qytetarët që janë të listuar si mos pagues energjie të paisen me aparate matëse që punojnë me kartë. Karta të jetë kartë rimbushëse, sipas pagesës që bëhet për energjinë. Kështu të bëhet pagesa paraprake, dhe më tej të futet karta në aparat dhe qytetari të marri energjinë e paguar. Me këto lloj aparatesh të paisen të gjithë qytetarët që nuk paguajnë energji. Vjedhësi e energjisë të marrin dënime maksimale përveç sekuestrimit të pasurisë dhe nxjerrjes së tyre në ankand për shlyerjen e detyrimeve.
Duke bërë veprimet e mësipërme gjykojmë se gjendja do të ndryshojë menjëherë. Nuk ka asnjë arsye që të penalizohen qytetarët e ndershëm dhe korrekt në kuriz të hajdutëve dhe shpërdoruesve të energjisë.

Leave a Reply