De Biazi: Askush nuk është i paprekshëm

De Biazi: Askush nuk është i paprekshëm

 

Nga Gerti Çarçani

Si nis ky vit 2016 për ju?
Nis si gjithmonë, duke menduar të programosh sa më mirë këtë Evropian, ku dhe do të përballemi këtë verë. Të bëjmë kujdes në detajet më të vogla, në mënyrë që të mbërrijmë në gjendjen më të mirë në këtë manifestim evropian të futbollit. Jemi pak herët tashmë të flasim për ata që do të vijnë në Francë. E rëndësishme është që grupi me të cilin arritëm këtë objektiv, sipas meje objektiv i jashtëzakonshëm, pak a shumë do të jetë në Francë për të bërë të mundur mbrojtjen sa më të mirë të ngjyrave kuqezi. Kërkojmë dhe mendojmë të bëjmë zgjedhjet më logjike për lojtarët, natyrisht në vijimësi edhe të asaj që ka prodhuar skuadra këto dy vjet eliminatoresh. Dhe kjo do të vlerësohet shumë nga ana jonë.

Mendon të jesh nën presion sa u përket emrave që do të grumbullosh?
Absolutisht jo. Nuk është se më krijojnë probleme zgjedhjet që bëj. Unë gjithmonë zgjedh lirshëm, së bashku me stafin tim. Natyrisht nuk thërrasim lojtarë për nga simpatia, por funksionalë, të cilët ndërlidhen mirë me grupin për të prodhuar më pas rezultatin.

Duke qenë se do të shkoni me 23 lojtarë, frika qëndron te fakti që të jenë fizikisht gati dhe jo në infermieri, por për të pasur edhe minuta më shumë. Nga ana juaj gjykoni se lojtarët që do të kenë më shumë minuta më shumë në fushë me skuadrat e tyre do të kenë më shumë shanse për grumbullim?
Si gjithmonë mendoj se do të bëjmë vlerësimet që janë të lidhura me cilësinë e lojtarëve, kompaktësinë mes tyre, si dhe faktin që të kenë gjendje optimale. Por, nuk është e thënë që ai që ka luajtur më pak është më i freskët sesa ata që kanë luajtur më shumë në këto gjashtë muaj. Më pas, edhe njohja me cilësinë mendore të tyre me lojën, me përfshirjen në tërësi të grupit, si dhe me dëshirën e të qenit pjesë të një skuadre që në Francë duhet të mbrojë me nder objektivin që ka arritur. Dhe asgjë më shumë. Nuk ndryshon asgjë. Do të bëjmë vlerësimet si përherë nga ana strategjike.

Megjithatë, ndonjë apo më shumë lojtar do të jetë i rëndësishëm për përfshirjen e merkatos së janarit, tashmë të hapur?
Po. Shpresoj që futbollistë si Gashi, Gjimshiti apo ndonjë tjetër të gjejnë ndonjë skuadër që të gjejnë mundësinë e aktivizimit, por edhe në rritjen e nivelit taktik. E nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të jetë më mirë për ne, sepse do të kemi më shumë mundësi që të zgjedhim.

Sa shanse ka ndonjë lojtar për Evropian, nëse mbetet pa skuadër?
Nëse mbetet pa skuadër? Zero.

Ju vazhdoni të mendoni që nuk do të ndieni ngarkesën e zgjedhjeve, duke qenë se do të duan të gjithë të shkojnë në Francë?
Puna ime është kjo, që të zgjedh ata që i përkasin mënyrës time të të konceptuarit futboll, apo lojës në grup, dhe të gjithë asaj që lidhet me emrin skuadër. Ne arritëm të merrnim këtë rezultat të jashtëzakonshëm, sepse arritëm të ishim një skuadër kompakte, ku kemi luftuar shumë për të arritur aty ku shkuam. Sepse besuam shumë, dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm. Ndaj nuk ndryshon asgjë në mënyrën time për të vlerësuar, sepse nuk vendos ti, por vendos unë. Rri i qetë për këtë, sepse mendojmë ne.

Kohët e fundit je parë shumë nervoz. Përse?
Po kush nuk ishte? Ti e di shumë mirë që të arrish një rezultat të rëndësishëm, nervozë bëhen të gjithë nga pak. Sepse gjendesh fare pak hapa larg një arritjeje historike dhe presioni rritet për të gjithë. Dhe është normale që të jetë një tension superior te mediet. Por, unë fatkeqësisht jam gatuar si një person që shoh shumë detajet, të perfeksionoj më shumë gjërat jo në 100, por në 200 për qind. Kështu që u jap shumë rëndësi gjërave më të vogla. Dhe kur konstatoj që kjo nuk shkon kështu, atëherë bezdisem kështu, dhe nuk arrij ta kamufloj dot.

Nuk ia del?
Jo, sepse jam spontan, flas atë që mendoj, shpesh me shumë dëshirë, edhe pse në jetë kjo nuk të ndihmon shumë. Por në fund, jam i bindur që, të jesh më i drejtpërdrejtë është më e rëndësishme se sa të rrëfesh e tregosh idiotësi.

Mister, mund ta sqarosh sërish atë batutë, apo deklaratë që është keqkuptuar: Vjen në kombëtare ai që punon dhe jo ai që paguan. Ka një zhurmë në lidhje me këtë, edhe pse ndoshta nuk mund të jetë kuptuar mirë.
Sinqerisht besoj që nuk është një problem imi. Është problem i atij që nuk kupton dhe jo i atij që flet. Unë kam thënë qartësisht që futbolli është një sport demokratik dhe nuk luan me mua ai që paguan apo ai që është më simpatik, por ai që është më i miri, ai që është më funksionabël për kauzën që luan, ai që është më shumë lojtar skuadre. Këta lojtarë thërriten prej meje dhe ky është kriteri im i vlerësimit të lojtarëve. Në 25 vitet e mia si trajner, grupi vjen shumë më sipër nivelit të lojtarëve. Të mendosh që një x-lojtar është më i miri në botë, edhe pse më pas vetëm me të nuk fiton dot ndeshjet. Fiton kur të gjithë bashkë marrin në dorë peshën dhe përgjegjësinë e ndeshjes. Nëse ti brenda grupit ke lojtarë që nuk marrin përsipër të tilla përgjegjësi, atëherë ata detyrimisht vetëpërjashtohen. Kur kam thënë atë që kam thënë, nuk është se ka ndodhur me mua, kurrsesi, por thelbi është që në fushë shkon ai që lufton, ai që meriton, ai që është më i miri, ai që ndihet pjesë e skuadrës dhe do të jetë pjesë e saj. Ky aspekt është shumë i rëndësishëm. Nuk është se kam thënë ndonjë gjë stratosferike, si shkencëtar. Jo. Një frazë e thjeshtë që të gjithë mund ta kuptojnë me lehtësi.

Vijmë pak te historia e kontratës tënde, shumës, shifrave. Ju ka bezdisur kjo gjë?
Po. Shumë. Jam ndierë i bezdisur nga njerëz që hidhnin në publik shifra  abstrakte, që nuk kanë as fillim e as mbarim, dhe shpikin çdo gjë.

Po, mirë pse jeni bezdisur?
Sepse kur njerëzit flasin pa ditur asgjë, është një nga gjërat që më jep shumë bezdi, shumë. Unë zakonisht jam mësuar të flas pak dhe kur them, them ato që janë të miat, dhe jo të dëgjuara nga të tjerët. Unë gjithmonë jap mendimin tim, dhe jo të të tjerëve. Jam i predispozuar të them gjëra për të cilat besoj shumë. Në këto 3-4 vjet që jam këtu shpesh kam parë tituj gazetash në lidhje me kontratën time, idiotësi pa fund. Sinqerisht mund t’ju them që gjithmonë shifrat kanë qenë inferiore në raport me atë që është shkruar apo publikuar. Në një pikë të kontratës ka një klauzolë për të qenë të rezervuar për shifrat dhe më duket e çuditshme që ndokush në FSHF mund ta nxjerrë dhe nuk e ka nxjerrë si shifër. Apo i bezdisur nga ndonjë tjetër që i përket të sajojë, të shpikë gjëra që nuk qëndrojnë. Flitet për miliona euro, që unë marr 2, marr 1 milion euro. Në Shqipëri, ju batutën e merrni gjithmonë për të vërtetë absolute dhe unë realisht kam mbetur i mahnitur dhe pa fjalë më pas. Marrin për bazë një frazë që unë mund të kem thënë duke qeshur. Unë di që kam bërë një punë të jashtëzakonshme nga ana sportive për të arritur atë që arritëm. Nga ana ekonomike, mund t’ju them që mes meje dhe Shqipërisë kemi pasur reciprokisht një avantazh të madh për një rezultat të tillë. Unë për faktin e prestigjit personal, sepse drejtova një skuadër që për herë të parë shkoi në një fazë finale Evropiani. Dhe besoj që ishte një diçka shumë e rëndësishme. Për presidentin Duka qëndron merita, sepse është presidenti i parë që ka arritur një objektiv historik dhe që ka besuar fort në zgjedhjen time si trajner i kësaj kombëtareje. Dhe për këtë e falënderoj publikisht, pasi gjatë kohës që i duhej të vendoste kontaktoi edhe tetë trajnerë të tjera para se të më zgjidhte. Dhe këtu meritë ka edhe ai që besoi në zgjedhjen që bëri.

Po si shkojnë raportet e tua me Dukën?
Të shkëlqyera.

Do të thotë që përtej atyre që prodhon media, nuk reflekton asgjë…
Të themi që përveç hajvanllëqeve që shkruhen jo shpesh ndonjëherë, unë dhe presidenti kemi një raport shumë të mirë. Unë kam mundur të bëj punën time në një autonomi të plotë. Dhe kjo nuk është një gjë e lehtë në botën e futbollit. Pikërisht për këtë motiv, raporti mes meje dhe Dukës është shumë i mirë. Por është e qartë që, nëse do të ulemi në tavolinë për të rishikuar kontratën, ai do të bëjë ç’është e mundur për të paguar sa më pak të mundet, unë do të bëj ç’është e mundur të paguhem dhe të arrij sa më shumë të mundem. Kjo është normale, sepse është pjesë e lojës. Por, kjo nuk do të thotë që nuk ka respekt për pozicionet përkatëse. Ky është një raport besimi dhe vlerësimi reciprok.

Ka ndodhur ndonjë moment brenda teje, për arsye të tuat të thuash: Mjaft më, kështu nuk mund të vazhdohet!?
Në këto vite në FSHF? Absolutisht, JO. Edhe pse e di fare mirë që futbolli është pjesë e fitoreve dhe e humbjeve. Nuk më pëlqen fare të humbas, për këtë jam i i sinqertë. Pas një humbjeje në një ndeshje, për një moment mblidhem me veten, por shumë shpejt e hedh pas dhe gjej rrugën e rikarikimit për ndeshjen tjetër. Dhe kjo të themi bën pjesë në qenien time si një person që ka luftuar fort në çdo kohë e moment të jetës. Duke shtrënguar dhëmbët në momentet më delikate, por duke bërë gjithmonë punën me shumë vendosmëri dhe me shumë nder. Si në anën time, por edhe në atë të stafit apo lojtarëve që kam pasur në dispozicion.

Pas kaq vitesh punë, e njihni mirë mentalitetin e futbollistëve shqiptarë?
Besoj se po, por duhet të përmirësohemi shumë nga kjo pikëpamje. Jemi rritur dhe kemi bërë disa hapa shumë të rëndësishëm përpara. Por, kemi ende shumë rrugë për të bërë.

A ka futbollistë të paprekshëm kjo kombëtare?
Askush nuk është i paprekshëm. Ka lojtarë të rëndësishëm, por aspak të paprekshëm. Nuk i kuptoj gjëra të tilla. Është e qartë që nuk shoh motiv për t’i prekur. Në këtë moment janë lojtarë të rëndësishëm për ne, por edhe persona seriozë. Janë shembuj nga këndvështrimi teknik, komportues si dhe nga përvoja që ata kanë. Kështu më duket diçka halucinante të bësh pa lojtarë të tillë, në këndvështrimin tim thelbësorë.

Mendoni se pa dashur ratë në një kurth, sa i përket çështjes së meritave për kualifikimin? Një kurthi le të themi mediatik, ndërmjet jush e federatës, për meritat e atij ose atyre që sollën kualifikimin?
Besoj se kjo ishte një idiotësi. Shpërtheu diçka e tillë, ndoshta për moseksperiencë apo mos të mësuarin me fitoren apo triumfin. Nuk arritëm plotësisht t’i kënaqeshim edhe ngjarjes thellësisht historike dhe me shumë rëndësi. Unë mendoj që në fund të fundit, ajo që kishte më shumë rëndësi ishte arritja e objektivit. Kush ka dhënë më shumë, kush më pak, unë besoj se të gjithë kemi pjesën tonë për këtë objektiv. Avantazhet lidhen me popullaritetin, prestigjin tim personal për këtë arritje, për federatën në anën ekonomike sepse përfiton më shumë në arkat e saj. Sa u përket garave, ai meriton më shumë apo më pak, merr më shumë a më pak, mendoj që duhet t’i lëmë jashtë vëmendjes, sepse nuk prodhojnë gjë.

Sa i përket një vendimi tuaj të mundshëm për të mos qenë më pjesë e drejtimit të Shqipërisë. Sa mund të ndodhë kjo?
Nuk di kur do ndodhë. Shpresoj sa më vonë të jetë e mundur. Nuk kam asnjë qëllim dhe ide të largohem. Madje duhet të vazhdoj të punoj mirë dhe të programoj edhe të ardhmen e afërt, për një strategji të re të punës në të gjitha nivelet e ekipeve kombëtare. Kjo, për të kërkuar edhe talentet e ardhshëm të futbollit shqiptar. Në ditët e fundit të dhjetorit të kaluar, me presidentin folëm pikërisht për këtë projekt. Dhe nga ky muaj ku jemi do të fillojmë edhe seleksionimet e para për të rinjtë për të gjetur pasuesit e Salihit, Berishës, Canës apo edhe të tjerëve. Xhovani do të vazhdojë, me shpresën që nuk do të bëjmë një Evropian katastrofik, duke bërë që të mos krijohen më pas kushtet për të mos qëndruar më. Por, unë dua dhe qëllimi im është që të vazhdoj gjatë me këtë skuadër.

Mister, sinqerisht besoni te tri sfidat që do të luajmë në Evropian?
Mbi të gjitha më duhet të them që në fazën finale të Evropianit duhet të mbërrijmë me bateritë të karikuara. Më pas të gjitha ndeshjet, përpos faktit si skuadra e katërt në atë grup, nisim të gjithë sfidën në kushte të njëjta. Më pas do të varet gjithçka prej nesh, çfarë potenciali mendor do të kemi për të qenë më superiorë me të tjerët në grup.

Sa shanse kemi?
Shiko, mendoj të flasësh tani për shanse është e kotë. Nuk di t’ju them për shanset, sepse varet se si do të vijë Zvicra në këtë fazë finale, si do të vijë Franca apo edhe Rumania. Nëse do të jenë mirë fizikisht apo do të vijnë me të gjithë lojtarët më të mirë që kanë. Unë nuk jam mësuar të flas herët, nuk është mënyra ime e të menduarit. S’mund të parashikoj. Jam mësuar të jem shumë racional dhe i bazuar në aspekte konkrete. Kjo është një skuadër që ka pasur një përqendrim të madh, një moment vështirësie gjatë eliminatoreve, por kur ka ardhur momenti të japim atë që duhej e kemi bërë. Të fitosh jashtë 3-0 me çdo lloj kundërshtari nuk është aspak e thjeshtë. Kemi fituar pastër dhe me meritë, neto, pavarësisht dy humbjeve që pësuam e që mund të kishin çuar në një epilog të pakëndshëm. Ajo që realisht më ka nervozuar pafund me ju është fakti i hamendësimeve të vazhdueshme që ne kemi humbur vetë me Serbinë që më pas…gjëra tërësisht anormale. Sinqerisht dhe realisht, unë vetëm këtu te ju dëgjoj gjëra të tilla abstrakte. Ne luajmë ndeshjen e jetës dhe e humbasim vetë??? A mund të mendohet kjo? Njerëzit me minimumin e logjikës dhe inteligjencës nuk di si mund ta çojnë ndërmend diçka të tillë. Kjo është pyetja ime. Përgjigja jote?

Janari kështu mbetet një muaj shumë domethënës…
Shumë, sepse lojtarë sikundër e thashë, Gashi e Gjimshiti, duhet të gjejnë skuadër, Mavraj po e po, edhe pse te rasti i tij është edhe alibia që vjen pas një dëmtimi. Është muaji që këta duhet të gjejnë një zgjidhje për të siguruar vazhdimësinë në fushë. Nuk di çfarë do të ndodhë me Manajn që ka pak hapësirë te Interi dhe që në janar mund të gjejë një zgjidhje tjetër. Por, edhe ai ka mundësinë të jetë në qendër të vëmendjes. Shpresoj të raftësohet Kukeli apo të gjithë ata lojtarë që kanë pasur probleme fizike, por që kanë qenë shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tonë të kualifikimit.

A keni marrë ofertë konkrete nga klube apo kombëtare? Mos më thuaj jo…
Po, shumë. Nga kombëtare po, por edhe nga klube, ofertat në të cilat në këto të fundit, ishin shumë të leverdisshme nga ana ekonomike. Shumë, shumë interesante në parametrat e tyre. Por kisha dhe kam një impenjim me federatën dhe e kam respektuar e dua të vazhdoj ta bëj këtë. Edhe në edicionin e kaluar kisha të tilla oferta, madje njëra prej tyre thuajse nuk duhej ta refuzoja, por megjithë këto, mbeta dhe Shqipëria më rinovoi edhe për dyvjeçarin tjetër.

Për çfarë do ta sakrifikonte De Biazi kombëtaren?
Unë? Në këtë moment, për askënd dhe për asgjë. Në këtë moment dua të bëj Evropianin tim me skuadrën time, me djemtë e mi që janë për mua pjesa më e rëndësishme, me të cilët kam një raport të bukur që shpesh arrijnë të më japin 101 për qind të asaj që kanë brenda. Dhe kjo për mua është më shumë se sa e mjaftueshme që të ndalem këtu.

Përtej Shqipërisë, kush janë për ty favoritët e këtij Evropiani?
Sinqerisht nuk di ç’të them për këtë. Nuk di për momentin. Këto lloj lojërash prognoze bëhen në bar zakonisht, por ka skuadra të forta me cilësi të mira dhe të jashtëzakonshme si Gjermania, Spanja apo Belgjika. Pse jo edhe skuadra që luan në shtëpinë e saj, Franca, që me këtë rast është edhe në grupin tonë. Mendoj që Italia nuk është skuadra më e mirë nga ana teknike, por është skuadra që kur duhet të bëj më të mirën e nxjerr në fushë dhe e arrin. Ka një trajner të mirë, që di ta motivojë dhe të punojë mirë me grupin dhe besoj se Italia, së bashku me të tjerat, mund të ketë më shumë shanse se sa mund të kemi ne.

Dhurata më e bukur që pate në 2015-n, përveç kualifikimit? Them në aspektin e festave…
Dhurata më e bukur, ajo që kalova Krishtlindjen me familjen time, me nënën time, me motrën, vëllezërit dhe me bashkëshorten dhe vajzën time. Ishte shumë e bukur, sepse kemi shumë pak mundësi të rrimë bashkë. Unë kam nënën që mbushi 80 vjeç 31 dhjetorin që shkoi, dhe më jep kënaqësi qëndrimi dhe përjetimi me të i momenteve të tilla.

Do të vijnë zonja me vajzën në Francë?
Besoj se po. Nuk e kemi vendosur ende, edhe pse bashkëshortja ime nuk është ndonjë e pasionuar e fortë e futbollit. Është e pasionuar pas meje apo punës, po nuk është se shkul flokët për futbollin. Unë besoj që në Francë, për përvojën që do të përjetojmë, do të jetë patjetër.

Mes Bajernit dhe Juventusit, kë do të zgjidhje për kalimin e turit?
Unë shpresoj që të kalojë Juvja jonë e çmendur. Dukesh që je i lumtur me këtë përgjigje. Është e vështirë, shumë, edhe pse në të tilla vështirësi, fryma dhe forca e kësaj skuadre mund të jetë shumë e fortë dhe t’ia arrijë. Besoj shumë në impostimin e skuadrës nga ana e trajnerit Alegri që në momente të tilla di të jetë edhe spekulative.

Marrë nga “Ora Skaner”, në “Ora News”

Leave a Reply